Mbahet ceremonia e diplomimit të studentëve në Fakultet të Edukimit

14 Korrik 2021
SHARE

Më datë 12 Korrik, Fakulteti i Edukimit organizoi ceremoninë e diplomimit të rreth 200 studentëve në nivelin Bachelor. Të diplomuarve iu drejtua Dekani i Fakultetit Prof. As. Blerim Saqipi, Shefja e departamentit të edukimit fillor Prof. Asc. Hatixhe Ismajli, Shefi i departamentit të Pedagogjisë Prof. Asc. Naser Zabeli, dhe Prof. As Arlinda Beka në emër të departamentit parashkollor.

Dekani Blerim Saqipi përshëndeti studentët me rastin e diplomimit duke theksuar që "diplomimi i kësaj gjenerate na jep një reflektim të mirë të asaj që e kemi përcaktuar si vizion i zhvillimit të cilësisë. Mbrojtja e temave të diplomës është bërë për herë të parë në ditën e parë pas afatit të provimeve dhe qysh sot studentët i kanë certifikatat e diplomimit në dorë. Edhe pse më herët në kohë, procesi është shoqëruar edhe me disa hapa të filtrit të cilësisë si inovacion. Kjo është sa i përket pjesës sonë të menaxhimit të procesit. Ndërsa, nga ana e studentëve, secili prej jush ka filluar procesin e përgatitjes për diplomim qysh 3 muaj më herët e që demonstron rritjen e seriozitetit të angazhimit të studentëve duke qenë bashkëpunues të mirë në të gjitha hapat. Këtë praktikë duam ta shëndërrojmë në kulturë të punës në këtë proces dhe në procese të tjera dhe këtë kulturë duam që ju ta percillni në shkollat e Kosovës. Poashtu, jemi shumë të kënaqur që kjo reflekton edhe një qasje të re të përceptimit të rolit të studentëve dhe angazhimit e përfaqësimit të tyre."

Dekani Blerim Saqipi inkurajoi të sapodiplomuarit që këtë ditë ta marrin edhe si pikë reflektimi duke theksuar që "sot është një fund por edhe një fillim i ri për ju. Ta keni përkushtimin dhe vullnetin për të mos u ndalur së mësuari. Bota nuk ndryshohet nga konformistët, andaj filloni ndryshimin e paradigmës tradicionale të rolit të mësuesit në sistemin shkollor dhe jam i bindur që keni vullnetin dhe kompetencën që një gjë të tillë ta bëni edhe në emër tonin".

Pas realizimit të një programi artistik nga ana e studentëve, të gjithë të diplomuarit lexuan betimin e mësuesit që reflekton rolin dhe përgjegjësinë e mësuesit për nxënësin, shtetin, kombin, dhe krijimin e një shoqërie me vlera Europiane.