Fakulteti i Edukimit prioretizon zhvillimin e dimensionit të vlerave në përgatitjen e mësimdhënësve të rinj

18 Shkurt 2022
SHARE

Për 5 javë, Fakulteti i Edukimit ka punuar me Dr. Cory Callahan, Profesor i Asocuar në Fakultetin e Edukimit në Universitetin Alabama (SHBA) përmes programit Fulbright, i cili financohet nga Qeveria e SHBA dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ky bashkëpunim është zhvilluar në kuadër të synimit të Fakultetit të Edukimit për të avancuar praktikat e përgatitjes së mësimdhënësve në dimenzionin e vlerave ndër të cilat edhe konceptet e barazisë, korrektësisë, qytetarisë demokratike dhe demokracisë. Si pjesë e këtij bashkëpunimi, Dr. Callahan ka analizuar programet aktuale, sillabuset e lëndëve të programeve të ndryshme, dokumentet kurrikulare si dhe ka realizuar shumë takime me profesorë, studentë,  mësimdhënës e akterë të tjerë të rëndësishëm në fushën e arsimit.
Misioni i Dr. Callahan konfirmoi që agjenda e zhvillimit të politikave dhe praktikave të trajtimit të dimensionit të vlerave në përgatitjen e mësimdhënësve është relevante ndërsa gjatë procesit u arrit dakordimi që koncepti i vlerave duhet të trajtohet si koncept programor dhe jo të kornizohet në një lëndë të caktuar dhe se duhet të ndikohen praktikat ekzistuese për të ndryshuar drejt këtij qëllimi të synuar. Për të arritur këtë qëllim, do të nevojitet zhvillimi i resurseve dhe
kapaciteteve të duhura profesionale dhe duhet zhvilluar agjendën e hulumtimeve në funksion të trajtimit të duhur të kësaj teme. Dr. Kallahan dhe menaxhmenti i Fakultetit të Edukimit në përmbyllje të këtij misioni u dakorduan që do të vazhdojnë bashkëpunimin në funksion të arritjes së qëllimit që koncepti i vlerave të trajtohet si qasje ndërkurrikulare përtej lëndëve të caktuara dhe të kalohet nga të mësuarit për vlerat dhe demokracinë drejtë qasjes së përjetimit të këtyre koncepteve e që do të reflektohen në praktikat në shkollë përmes përgatitjes ndryshe të mësimdhënësve të rinj. Për këtë, Fakulteti i Edukimit është duke kërkuar mundësitë e zhvillimit të projekteve konkrete për të përkrahur këtë agjendë zhvillimore.