Prof. Asoc. Dr. Blerim Saqipi

Prof. Asoc. Dr. Blerim Saqipi

Dean

Nr.kontaktues:

+383 38 229 201

Fakulteti i Edukimit është themeluar në vitin 2002 si pjesë e reformës strukturore për të avancuar përgatitjen e mësimdhënësve nga kualifikimi dy vjeçar (të ofruar në ish Shkollat e Larta Pedagogjike) në  kualifikim katër vjeçar (240 ECTS). Kjo edhe shënoi fillimin e trajtimit të fushës së edukimit si fushë studimi brenda Universitetit dhe në të njëjtën kohë shënoi një hap drejt rritjes së standardit të kualifikimit të mësimdhënësve të rinj. Paralelisht me këtë, përgatitja e mësimdhënësve në Kosovë është udhëhequr edhe nga zhvillimet e ndryshme në profesionin e mësuesisë si reforma kurrikulare në sistemin e arsimit parauniversitar në dekadën e fundit e që me fjalë të tjera nga mësimdhënësit pritet që të kryejnë një detyrë që është shumë ndryshe nga çfarë ka qenë 20 vite më parë. Poashtu, njohuritë shkencore rreth cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies janë avancuar duke shtuar kështu kompleksitetin e detyrës së përgatitjes së mësimdhënësve. Për më shumë, shoqëritë e ditëve të sotme janë shumë më komplekse dhe përballen me sfidat dhe fenomenet e ndryshme sociale përderisa poashtu ka ndryshuar edhe rëndësia që ka informata krahas trendeve të zhvillimeve teknologjike dhe globalizimit. Prandaj, ky kontekst që është duke ndryshuar në vazhdimësi paraqet një pikë të rëndësishme reflektimi për gjendjen aktuale dhe objektivat zhvillimore të Fakultetit të Edukimit.

Fakulteti i Edukimit ka bërë një rrugëtim në drejtim të përshtatjes ndaj kontekstit vendor në të cilin funksionon dhe kontekstit të Bashkimit Europian pjesë e së cilit synon të bëhet. Megjithatë, ekziston koncensusi shoqëror dhe në komunitetin arsimor, bazuar edhe në dëshmitë për cilësinë e mësimit në shkolla kohët e fundit, që cilësia e përgatitjes së mësimdhënësve duhet të avancohet tutje. Ky është edhe synim i Fakultetit të Edukimit në vitet në vijim duke synuar që të vendos një standard të përgatitjes cilësore të mësimdhënësve për të gjithë akterët që kanë rol në përgatitjen dhe zhvillimin e mësimdhënësve. Për më shumë, tani është koha e reflektimit dhe shqyrtimit të qasjes së deritanishme të implementimit të zhvillimeve dhe reformave në ofrimin e programeve që përgatisin mësimdhënës duke synuar zhvillimin e një modeli të ri që do të shpie drejtë ndryshimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Tani është koha për ndryshimin e paradigmës tradicionale. Është koha që të përfundojë faza ‘të bëjmë më shumë nga ajo që  kemi bërë’ dhe të fillojmë fazën ‘të përgatisim mësimdhënësit më ndryshe dhe për një qëllim tjetër’. Fakulteti i Edukimit është përcaktuar për realizimin e këtij ndryshimi, ndaj ftoj studentët, stafin akademik, stafin administrativ dhe palët e tjera të interesit që të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi në funksion të transformimit të praktikave aktuale të të mësuarit në shkollat e Kosovës duke trasuar rrugën e integrimeve Europiane për sistemin e arsimit dhe shoqërinë.   

Prof. Asoc. Dr. Blerim Saqipi është mësimdhënës në Fakultetin e Edukimit nga viti 2007. Ka përfunduar doktoratën në edukim në Universitetin e Jyvaskyla-s në Finlandë me fokus në zhvillimin e profesionalizmit të mësimdhënësve në kontekst të reformës së thellë arsimore. Studimet e nivelit master i ka përfunduar në Universitetin e Lethbridge-it në Alberta të Kanadasë në fushën e edukimit. Ligjëron kurset e fushës së metodave të hulumtimit dhe politikave arsimore. Ka qenë anëtarë në mekanizma të ndryshëm brenda Universitetit të Prishtinës (Këshilli i Cilësisë në Universitet, Këshilli i Doktoratës në Fakultet) dhe në nivel të sistemit të arsimit (Këshilli Shtetëror i Licencimit të Mësimdhënësve, Këshilli Shtetëror i Maturës, Këshilli Shkencor i Institutit Pedagogjik të Kosovës etj). Nga viti 2017 është anëtar i bordit të revistës Center for Education Policy Studies (indeksuar në SCOPUS) në Universitetin e Lublanës. Fusha e interesimit në punën kërkimore fokusohet në studimin e politikave arsimore, me theks në zhvillimin e shkollës dhe politikat e përgatitjes së mësimdhënësve dhe ndërlidhja e tyre me dimensionet profesionale dhe sociale të sistemit të arsimit.
Shih CV-në.