TACES- Trajnimi i mësimdhënësve për integrimin e qëndrueshmërisë mjedisore në klasa

04 Shkurt 2023
SHARE

Në datat 28 dhe 30 janar, u mbajt pjesa e parë e trajnimit "Integrimi i edukimit për qëndrueshmëri në klasë"
në kuadër të projektit "Mësimdhënësit si agjentë të ndryshimit për qëndrueshmërinë mjedisore-
TACES". Përmes një procesi aplikimi online, 60 mësimdhënës nga 14 komuna të ndryshme
të Kosovës u përzgjodhën dhe filluan trajnimin në dy grupe trajnuese.
Pas një prezantimi të shkurtër të koncepteve kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe edukimit të qëndrueshëm,
pjesëmarrësit u njohën me burimet e trajnimit siç ishte broshura "Zhvilllimi i qëndrueshëm dhe edukimi për qëndrueshmëri", e zhvilluar në kuadër të projektit. Gjatë pjesës hyrëse, pjesëmarrësve iu kërkua të fillonin të punonin drejtpërdrejt në platformën online, përmes videove dhe mjeteve të tjera të trajnimit në internet. Ndërkohë, pjesa tjetër e trajnimit do të kryhet online, me një theks mbi detyrat që mësimdhënësit duhet të kryejnë në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë me certifikimin. Aktivitetet mësimore do të kryhen duke përdorur video materialet e kursit të strategjisë “Katër mënyrat e të menduarit- Strategjia 4WoT”. Për më tepër, pjesëmarrësit do të përgatisin një plan mësimor duke integruar
tema mjedisore me të paktën dy fusha kurrikulare gjatë orës së mësimit. Trajnimi online do të përfundojë me një video se si u zbatuan aktivitetet me nxënësit në mjediset e klasës, ndërsa klasat që tregojnë ide novatore dhe vendosmëri do të shpërblehen nga projekti. Pjesëmarrësit e kursit pas përfundimit të të gjitha detyrave dhe aktiviteteve do të certifikohen me 16 pikë licencimi sipas Vendimit Nr.04/2021 të MASHTI-t, datë 07.04.2021.
Projekti TACES mbështetet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë në kuadër të Programit të Granteve të vogla Fulbright Alumni dhe administrohet nga Kosova Alumni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës-KUSA. Trajnimi zbatohet
nga profesorët e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës në kuadër të Institutit për Hulumtim dhe Zhvillim të Arsimit (IHZHA).