Fakulteti i Edukimit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 6 Shkolla Fillore dhe të Mesme të Ulëta në Prishtinë për implementimin e aktiviteteve si pjesë e dy projekteve të udhëhequra nga fakulteti në fushën e zhvillimit të kompetencës digjitale. Shkollat partnere në këto projekte janë: Xhemajl Mustafa, Elena Gjika, Emin Duraku, Faik Konica, Shkolla e Gjelber dhe Meto Bajraktari.
Projekti i parë bashkefinancohet nga Bashkimi Europian (projekti "TKaEDiTE.eu"), përmes të cilit shkollat do të përfitojnë trajnime nga profesorët vendor dhe ndërkombëtar për ngritjen e kompetencës digjitale të mësimdhënësve, dhe organizimin e sfidave në fushën STEM për nxënësit e tyre. Projekti i dytë financohet nga MASHTI, VAR4STEM.net përmes të cilit mësimdhënësit do të përfitojnë trajnime mbi integrimin e teknologjisë VR (Virtual reality) dhe AR (Augmented reality) në fushat e STEM.
Dekani i Fakultetit Blerim Saqipi u shpreh se projektet e tilla kanë për synim të ndihmojnë mësimdhënësit në shërbim, dhe krijimin e kushteve brenda klasave për të integruar teknologjinë në mbeshtetjen e procesit mësimor më cilësor ndërsa si ide vie në kuadër të nismave të fakultetit për transformim të paradigmës së mësimdhënies drejt zhvillimit të mësimdhënësve që zbatojnë teknologjinë në mësim dhe zhvillojnë një qasje më të zgjeruar profesionale ndaj detyrave të profesionit.
Drejtorët e gjashtë shkollave u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me fakultetin në këto ide inovative të cilat do të kenë ndikim edhe në sistemin e arsimit parasuniversitar meqë krijohen parakushtet e zhvillimit të mësimdhënies cilësore në klasa në hap me trendet aktuale të reformimit të mësimdhënies.
Zhvillimi i kompetencës digjitale është një nga fushat prioritare që janë duke u adresuar nga Fakulteti i Edukimit, bashkë me zhvillimin e qasjes së integruar të mësimit (qasja STEAM), edukimit për vlera dhe qasjes së avancuar të individualizimit të mësimit.