Si rezultat i punës në dy Ekipe të Hulumtimit qё Fakulteti i Edukimit ka themeluar me synimin të bashkojё profesorёt, asistentёt dhe studentët rreth koncepteve tё rёndёsishme tё studimit tё edukimit, Fakulteti i Edukimit sot u shpall përfitues i granteve për dy projekte kërkimore nga UP.
Projekti i parë i financuar titullohet "Përpjekja për të shkuar përtej dizajnit tradicional të mësimdhënies dhe implementimit të reformës kurrikulare në Kosovë", dhe ka për qëllim të studiojë realitetin e punës dhe të qenit mësimdhënës në Kosovë si dhe sfidat e implementimit të reformës kurrikulare dhe reformës në profesionin e mësuesisë në Kosovë nga prizma e zhvillimeve të dy dekadave të fundit. Hulumtimi do të fokusohet në eksplorimin e realitetit të qenit mësimdhënës, realitetin e planifikimit dhe qasjes didaktike në klasë, përvojat e përballjes me reformen kurrikulare, ndërlidhjen midis variablave organizative dhe të sistemit në raport me veprimet profesionale të mësimdhënsve si dhe rëndësinë e dimenzionit personal të të qenit mësimdhënës në raport me sjelljen profesionale të mësimdhënësve.
Projekti i dytë i financuar titullohet "Ndikimi i robotëve humanoid në mjediset mësimore" dhe ka për qëllim të hulumtojë ndikimin e teknologjisë së robotëve humanoid dhe sistemeve të ngjajshme intelegjente në mësimdhënie dhe të nxënë, si dhe mundësitë e reja që kjo kompetencë mund të ofrojë për studenët e Programit Fillor dhe Programeve Master Edukim Inkluziv dhe Mësimdhënia Lëndore në fakultetin tonë. Për më shumë, përmes këtij projekti synohet të hulumtohet nëse integrimi i robotëve humanoid në procesin mësimor ndikon në motivimin, vëmendjen dhe të nxënit, dhe rezultatet akademike të nxënësve me zhvillim tipik dhe atipik.