Me krenari të madhe njoftojmë se, nën udhëheqjen e Fakultetit të Edukimit, Kosova ka marrë zyrtarisht Anëtarësimin si Kandidate në Shoqatën Evropiane të Hulumtimeve në Arsim (EERA)!
Pas aplikimit të dorëzuar nga Fakulteti i Edukimit Universiteti i Prishtinës, në bashkëpunim me një grup më të gjerë akterësh (hulumtues nga Fakultetet e Edukimit në Kosovë, Instituti Pedagogjik i Kosovës dhe OJQ-të aktive në fushën e arsimit), Këshilli i EERA-s miratoi anëtarësimin kandidat të Kosovës në takimin e tij të fundit në Berlin me 14-15 mars 2025).
Ky sukses shënon një hap të rëndësishëm drejt themelimit të një Shoqate Kombëtare të Kërkimeve Arsimore në Kosovë, forcimit të kërkimeve arsimore, nxitjes së bashkëpunimit midis studiuesve dhe rritjes së dukshmërisë së Kosovës në komunitetin kërkimor evropian.
Çfarë Do të Thotë Kjo për Studiuesit e Arsimit në Kosovë?
Qasje në tarifa të reduktuara dhe mundësi të zgjeruara për një rol më aktiv në Konferencën Evropiane për Kërkime në Arsim (ECER) të EERA-s
Mundësi më të mëdha për rrjetëzim, bashkëpunim dhe shkëmbim njohurish me studiuesit kryesorë evropianë
Angazhim dhe dukshmëri më të madhe në 33 rrjetet kërkimore të EERA-s dhe Emerging Researcher's Group
Me padurim presim ndërtimin e një komuniteti të fuqishëm dhe gjithëpërfshirës kërkimor, i cili do të kontribuojë në zhvillimin e arsimit dhe kërkimit në Kosovë dhe më gjerë!
Rreth EERA - Shoqata Evropiane e Hulumtimeve në Arsim
EERA është një rrjet i 40+ shoqatave kombëtare dhe rajonale të kërkimeve në arsim nga e gjithë Evropa. E themeluar në vitin 1994, misioni i EERA-s është të:
Nxisë bashkëpunimin midis studiuesve evropianë në arsim
Përmirësojë cilësinë e kërkimeve dhe promovojë shkëmbimin e ideve
Sigurojë këshilla të pavarura të bazuara në kërkime për politikëbërësit evropianë
Shpërndajë gjetjet kërkimore për të ndihmuar lidhjen midis politikave dhe praktikës
Më shumë rreth EERA: https://eera-ecer.de/
Një falënderim i veçantë për të gjithë akterët që kontribuuan në këtë sukses!
Qëndroni të informuar për ngjarjet e ardhshme dhe mundësitë e reja të angazhimit në EERA.