Times Higher Education e renditë Fakultetin e Edukimit në mesin e 601+ institucioneve më të mira në botë për fushën e edukimit!

01 Qershor 2025
SHARE

Times Higher Education e ka renditur Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës në mesin e 601+ institucioneve më të mira në botë për fushën e edukimit! 

Ky rangim i FEdu shënon një sukses edhe për Universitetin e Prishtinës, i cili si institucion është renditur në pozitën 1500+.

“Sipas analizave fillestare, ky sukses vjen si rezultat i punës së palodhshme ndër vite, sidomos falë veprimeve strategjike që bëjnë dallimin në nivel krahasimtar. Sipas nesh, volumi i fondeve të jashtme që ka gjeneruar Fakulteti në 5 vitet e fundit, aktiviteti i ngjeshur dhe cilësor ndërkombëtar, zvogëlimi i proporcionit staf–student nga 52 studentë për një staf akademik në vitin 2020 në 25 studentë për një staf akademik në vitin 2024/2025, angazhimi intensiv i Fakultetit me sistemin shkollor si dhe aktiviteti i shtuar i stafit akademik në publikime shkencore janë arritjet që kanë luajtur rol vendimtar,” tha Dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi. 

Fakulteti i Edukimit, si pjesë e strategjisë së ndërkombëtarizimit, ka zhvilluar programin e doktoratës në modalitetin e diplomës së dyfishtë me Universitetin e Lublanës dhe e implementon atë në gjuhën angleze. Në vitet e fundit, ka shënuar suksese të vazhdueshme në gjenerimin e fondeve të jashtme, të cilat janë dukshëm më të mëdha krahasuar me disiplinat e tjera brenda universitetit. Këto veprime janë pjesë e qëllimit për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënësve të rinj. 

“Ne jemi të vetëdijshëm që përmirësimi i cilësisë së mësimdhënësve është një proces i gjatë, që kërkon transformim në ligjërim dhe përkushtim të shtuar të stafit akademik. Fakulteti ka plane e zhvillime për këtë drejtim, ndërsa veprimet strategjike dhe arritjet që kanë bërë diferencën në këtë rangim janë parakushte për përmirësime në cilësinë e mësimdhënies e të diplomuarve. Besojmë që në kontekst afatmesëm, kjo punë do të kthehet në cilësi të shtuar të mësimdhënësve të rinj. Veprimet tona janë planifikuar dhe menaxhuar për këtë qëllim, por edhe për të treguar që universiteti mund të avancohet edhe më tej në nivel strategjik e ndërkombëtar, kur planet dhe resurset janë të duhurat,” përfundoi dekani Saqipi. 

Rangimi “Times Higher Education” është një nga platformat më të besueshme ndërkombëtare për arsimin e lartë, bazuar në: mësimdhënie, ambientin e hulumtimit, cilësinë e hulumtimit, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe lidhjen me tregun/industrinë. Më shumë se 2000 institucione nga mbi 115 shtete e territore marrin pjesë në këtë rangim çdo vit. 

Rezultatet e fundit janë publikuar në fillim të vitit 2025, dhe për herë të parë, Fakulteti i Edukimit ka hyrë në këtë renditje!