BA në Teknologji Arsimore akreditohet në Fakultetin e Edukimit, ndërsa programi MA në STEAM riakreditohet për 5 vjet

27 Mars 2026
SHARE

Fakulteti i Edukimit ka siguruar akreditimin e programit të ri BA në Teknologji Arsimore, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejmë të programeve studimore dhe në avancimin e përgatitjes së studentëve për nevojat e arsimit bashkëkohor.

Ky program është në përputhje me prioritetet e Strategjisë së Arsimit dhe i përgjigjet nevojës në rritje për përgatitjen e profesionistëve që kuptojnë, përdorin dhe zhvillojnë teknologjinë në funksion të mësimdhënies dhe të të nxënit. Programi synon të përgatisë kuadro të rinj për kohën digjitale, të aftë për të sjellë risi, cilësi dhe qasje bashkëkohore në arsim.

Fakulteti i Edukimit i ka paraprirë këtij procesi edhe përmes avancimit të infrastrukturës dhe krijimit të kushteve konkrete për mësim dhe praktikë bashkëkohore. Në kuadër të këtij angazhimi janë zhvilluar dhe funksionalizuar dy salla STEAM dhe Ed Tech Studio, si dhe janë siguruar pajisje dhe materiale digjitale të të nxënit, duke krijuar një mjedis universitar që mbështet në mënyrë të drejtpërdrejtë përgatitjen cilësore të studentëve për sfidat dhe kërkesat e arsimit të shekullit XXI.

Njëkohësisht, Fakulteti i Edukimit ka siguruar edhe riakreditimin pesëvjeçar të programit MA në STEAM, duke konfirmuar cilësinë, rëndësinë dhe qëndrueshmërinë e tij si program që i përgjigjet kërkesave të arsimit inovativ, ndërdisiplinor dhe të orientuar drejt së ardhmes.

Këto zhvillime dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të Fakultetit të Edukimit për të ndërtuar dhe ofruar programe studimi moderne, cilësore dhe në funksion të zhvillimit të sistemit arsimor dhe të shoqërisë.