Platforma Evropiane e Edukimit Shkollor është pika e takimit për komunitetin e mësimdhënësve që punojnë në institucionet e edukimit të hershëm, shkollat fillore dhe të mesme, shkollat profesionale dhe institucionet për edukimin e mësimdhënësve të ardhshëm. Platforma është pa pagesë dhe ka të integruar edhe eTwinning, komunitetin online për shkollat në Evropë.
Linku: https://school-education.ec.europa.eu/en
eTwinning është një komunitet për shkollat, një hapësirë online që ofron mundësi për mësimdhënësit, nxënësit dhe shkollat në të gjithë Evropën për të punuar së bashku në projekte, për të diskutuar në grupe online, për të shkëmbyer praktikat më të mira dhe për të zhvilluar aftësitë profesionale. eTwinning promovon mësimin e bazuar në projekte, shkëmbimin kulturor dhe qytetarinë dixhitale dhe shtrihet në më shumë se 40-të shtete të botës.
Linku: https://school-education.ec.europa.eu/en/etwinning
eTwinning financohet nga Bashkimi Evropian përmes programit Erasmus+, i cili synon të mbështesë arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në Evropë. Nga janar i vitit 2024 edhe Kosova i është bashkuar komunitetit të eTwinning fal bashkëpunimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë e cila bashkë-financon programin eTwinning në Kosovë së bashku me Bashkimin Evropian përmes programit Erasmus+ dhe implementohet nga Zyra Erasmus + në Kosovë (Zyra Kombëtare Mbështetëse për eTwinning në Kosovë)
Përfshirja e eTwinning në institucionet e edukimit për mësimdhënës u ofron mësimdhënësve të ardhshëm mundësinë që:
të njihen dhe të praktikojnë mësimdhënien përmes projekteve eTwinning dhe punën ndërdisiplinore;
të zhvillojnë aftësitë e tyre në teknologji dhe në gjuhë të huaja;
të përfshihen në shkëmbime evropiane, ndërkombëtare dhe ndërkulturore me mësimdhënësit e ardhshëm nga vende të tjera;
të ngrisin kompetencat profesionale, si menaxhimi i projekteve dhe puna në grup, si dhe
të reflektojnë mbi praktikat e tyre të mësimdhënies.
Çmimi Evropian për Institucionet e Edukimit për Mësimdhënës të Ardhshëm
Ky çmim u themelua në vitin 2022 me synim për të vlerësuar institucionet më aktive në përfshirjen e eTwinning në programet e edukimit. Ai synon të identifikojë, të vlerësojë dhe të promovojë punën dhe përpjekjet e këtyre institucioneve në tre drejtime kryesore: integrimin e eTwinning në kurrikulë, zbatimin e projekteve konkrete dhe rezultatet nga kërkimi.