FEdu UP dhe MASHT-i me nismë të përbashkët për zhvillimin e shkollave dhe përmirësimin e cilësisë në arsimin parauniversitar

03 Mars 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës, përmes Fakultetit të Edukimit, dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me qëllim ngritjen profesionale të mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave dhe profesionistëve tjerë të arsimit parauniversitar, duke kombinuar këtë me projekte hulumtuese dhe intervenuese.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja Arbërie Nagavci, rektori Qerim Qerimi dhe dekani i Fakultetit, Blerim Saqipi, dhe ka kohëzgjatje fillestare 3-vjeçare.

Me këtë marrëveshje, stafi i Fakultetit të Edukimit do të angazhohet në ekipe hulumtuese për të identifikuar nevojat e mësimdhënësve, drejtorëve dhe shkollave, për t’u pasuar me programe adekuate të zhvillimit profesional të tyre dhe projekte hulumtuese e zhvillimore.

Marrëveshja parasheh zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta në formë të kombinuar të zhvillimit profesional të personelit të institucioneve të arsimit parauniversitar, në njërën anë, dhe hulumtimit shkencor në fushat përkatëse, në anën tjetër. Qëllimi është që të modelohet zhvillim më koherent dhe të bazuar në dëshmi për një reformë përmbajtjesore.

Fakulteti i Edukimit ka zhvilluar tashmë një gamë të gjerë të programeve për zhvillimin profesional të personelit në arsimin parauniversitar, ndërsa në bazë të nevojave të identifikuara nga Ministria e Arsimit, komunat dhe shkollat, do të zhvillojë edhe programe të reja si dhe do të dizajnojë projekte hulumtuese, që janë në shërbim të zhvillimit të sistemit shkollor e parashkollor në Kosovë.