Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës prezanton me krenari revistën e re “EduForum”, një platformë profesionale për komunitetin arsimor në Kosovë. Kjo nismë synon të plotësojë boshllëkun në zhvillimin e debatit akademik dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet mësimdhënësve, hulumtuesve dhe politikëbërësve.
“EduForum” do të shërbejë si një hapësirë për të ndarë praktikat e mira, rezultatet e hulumtimeve shkencore dhe reflektime mbi arritjet e sektorit arsimor, duke u fokusuar në mësimdhënien efektive, zhvillimin profesional të mësuesve dhe edukatorëve, dhe shkëmbimin e praktikave të mira edukative. Kjo iniciativë e rëndësishme promovon bashkëpunimin dhe rrjetëzimin si thelb i zhvillimit modern të arsimit.
"EduForum" erdhi si nevojë e theksuar nga vet shkollat dhe mësimdhënësit për një forum të përbashkët ku jo vetëm mund të kontribuojmë, por edhe të mësojmë nga njëri tjetri, përmes promovimit të praktikave të mira që gjithsesi ekzistojnë në vendin tonë në një anë dhe inkurajimin e përmirësimeve në nivel më të gjerë në anën tjetër.
Edicioni i parë i revistës është botuar sot si një numër pilot, duke përfshirë kontribute nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë. Në shkurt 2025, do të hapet thirrja për artikuj për numrin e dytë, duke inkurajuar të gjithë akterët e interesuar të kontribuojnë.
Vizitoni https://edukimi.uni-pr.edu/page.aspx?id=1,60 për më shumë informacion dhe për t’u njohur me edicionin e parë të “EduForum”.
Numrin e parë të EduForum mund t'a shkarkoni këtu.
Bashkohuni me këtë përpjekje për të avancuar arsimin në Kosovë!