Seminare/Webinare
Seminari për Ngritjen e Kapaciteteve për Publikime Shkencore i organizuar nga EERA në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit
Asociacioni Europian për Hulumtime Arsimore (EERA), në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, organizoi një seminar për ngritjen e kapaciteteve për publikime shkencore në fushën e arsimit. Seminari u mbajt në ambientet e Fakultetit të Edukimit dhe mblodhi studiues të arsimit nga nivele të ndryshme të karrierës akademike, përfaqësues të fakulteteve të edukimit në Kosovë, Institutit Pedagogjik të Kosovës, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare që veprojnë në sektorin e arsimit.
Pse është i rëndësishëm ky seminar?
Seminari u organizua në kuadër të mbështetjes që EERA i ofron Kosovës në procesin e anëtarësimit të plotë në këtë rrjet evropian të shoqatave të hulumtuesve arsimorë – një ndër mekanizmat më të rëndësishëm për zhvillimin e shkencës arsimore në nivel ndërkombëtar.
Disa fakte kyçe rreth EERA:
-
Organizatore e Konferencës Vjetore Europiane për Kërkime Arsimore (ECER), e cila mbledh mbi 3000 pjesëmarrës çdo vit nga e gjithë bota.
-
Botuese e revistës shkencore European Educational Research Journal, me faktor ndikimi 2.0.
Anëtarësimi i Kosovës në EERA
Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës ka udhëhequr procesin e aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në EERA, duke mobilizuar komunitetin kombëtar të studiuesve arsimorë. Në mars të vitit 2025, EERA miratoi aplikacionin për statusin e anëtarit kandidat.
Për të siguruar anëtarësimin e plotë, kërkohet krijimi i një rrjeti të strukturuar kombëtar të studiuesve të arsimit në formën e një shoqate shtetërore.
Synimet e Fakultetit të Edukimit
-
Të avancojë kërkimet shkencore në arsim në Kosovë
-
Të rrisë cilësinë dhe sasinë e prodhimit shkencor
-
Të përmirësojë standardet e përgatitjes së mësimdhënësve të rinj
-
Të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit parauniversitar në vend